Korfuzi: Duam ujin e “Syrit të kaltër”
Vendosur: 26/06/2007 - 10:23
• Qeveria greke hedh sytë nga “Syri i kaltër” për të furnizuar Korfuzin me ujë.
ATHINE / Marko Caka
Ishulli më i madh grek, i cili njihet për problemin madhor të mungesës së ujit të pijshëm, në vitin 2011 parashikohet të ketë ujë me bollëk, nëse nënshkruhet marrëveshja mes dy vendeve. Por duket se gjithçka është vënë në rrugë të mbarë, pa bërë shumë zhurmë nga të dyja qeveritë. Bashkimi Evropian do të financojë 160 milionë euro për ujin që do të merret në "Syrin e kaltër" dhe një projekt i tillë është firmosur në Bruksel që më 27 dhjetor 2001. E ndërkohë që grekët kanë nevojë për ujin e "Syrit të kaltër", e kanë paraqitur projektin në kuadër të paketës së ndihmës që Ministria e Jashtme greke i jep Shqipërisë.
Zgjidhja e çështjes së problemit të furnizimit me ujë të ishullit të Korfuzit ishte një nga temat e diskutimit me iniciativën e deputetit të Demokracia e Re, Niko Geotgadhi, në një takim me elektoratin. Në këtë projekt madhor për banorët e këtij ishulli, do të nisë me krijimin e digave të transportimit të ujit nga bregu shqiptar. Sipas deputetit Niko Geotgadhi, i cili është dhe iniciatori kryesor i kësaj vepre të rëndësishme tha se, "Transportimi i ujit nga Shqipëria është dhe zgjidhja me kosto më të lirë dhe të ndërtimit më të shpejtë që do të mbulojë të gjitha nevojat e prefekturës së Korfuzit". Deputeti Geotgadhis u shpreh gjatë këtij takimi se bëhet fjalë për një zgjidhje plotësuese në financimin nga ana e Ministrisë së Jashtme në kuadrin e ndihmës që ka nënshkruar Greqia ndaj Shqipërisë. Dhe vazhdon më tej, se Shqipëria dëshiron të japë ujë dhe për këtë qëllim ka promovuar dhe ndërhyrjen ligjore për këtë çështje. Prandaj, tha deputeti grek, Geotgadhis, që së shpejti do të zhvillohet dhe një takim me ministrin e Zhvillimit dhe të Energjisë, Jorgo Suflia, për të sqaruar se Shqipëria nuk paraqet rrezik në ndërtimin e digave. Me këtë vepër do të sigurohet uji falas dhe cilësor për të gjithë banorët e këtij ishulli. Me ndërtimin e dy digave në Melisudhi e Kalamiotisa dhe me kompletimin e sistemit të transportimit të ujit, do të ndërtohen dhe dy fabrika të infiltrimit të kripërave të saj. Kjo vepër ka një kosto prej 160 milionë euro dhe cilësohet vepra më gjigante në historinë e qarkut të Korfuzit dhe që do të përmbushë të gjitha nevojat e tij. Projekti i kësaj vepre të madhe u miratua nga buxheti i BE-së më datë 27.12.2001 dhe që do të niste me financimin në disa etapa. Sipas projektit të miratuar nga qeveria greke, kjo vepër do të mbarojë në vitin 2011 dhe pastaj do t’i dorëzohet autoriteteve lokale të Korfuzit për funksionim. Më datë 29 qershor të këtij viti pritet që Kryeministri grek, Kostas Karamanlis, të vizitojë ishullin e Korfuzit, ku në fjalën e tij do të shpallë dhe publikisht për nisjen e këtij projekti gjigant të transportimit të ujit nga "Syri i Kaltër", si një iniciativë dhe hap i rëndësishëm që ka ndërmarrë qeveria e tij në plotësimin e ëndrrave të popullit të Korfuzit në sigurimin e ujit të pijshëm. Siç dihet, për realizimin e këtij projekti ka pasur dhe pengesa të herë pas hershme nga autoritetet lokale, të cilët kanë kundërshtuar marrjen e ujit nga Shqipëria.
Krijoni Kontakt